Foto: Policia e Kosovës

Arrestohet 21-vjeçari pasi vodhi pajisje në teleferikun e Qendrës së Skijimit në Brezovicë

Një 21-vjeçar po dyshohet se ka vjedhur pajisje në teleferikun e Qendrës së Skijimit në Brezovicë, duke shkaktuar edhe dëme materiale në infrastrukturën e kësaj qendre.

Ai është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Organet e rendit kanë dhënë detaje në lidhje me këtë rast. Sipas Policisë, të hënën rreth orës 06:20, stacioni policor në Shtërpcë ka pranuar një informacion për një rast të vjedhjes së rëndë që kishte ndodhur në Brezovicë.

Sipas tyre, pas një pune intensive hetimore të policëve hetues, grumbullimit të informacioneve në terren, policët kanë arritur që të identifikojnë personin e dyshuar dhe vendin e ndodhjes së tij dhe rreth orës 12:00, të po të njëjtës ditë, kanë arrestuar personin e dyshuar me inicialet V.B., (M/K) i moshës 21-vjeçare, i cili dyshohet se ka kryer vjedhje të rëndë të pajisjeve të teleferikut.

Policia thekson se i dyshuari ka shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale në infrastrukturën e Qendrës e Skijimit.

I dyshuari, është shoqëruar në stacionin policor në Shtërpcë dhe pasi është intervistuar nga policët hetues, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj është ndaluar për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore, thuhet në komunikatën e PK.