Arrestohet 20 vjeçarja që ndihmoi të dyshuarin të ikte nga Policia

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar një 20 vjeçare në Durrës nën dyshimin se ka ndihmuar një person të dyshuar, i cili  kishte kryer disa vjedhje, që të ikte nga Policia.

Policia ka njoftuar se arrestimi i të dyshuarës është bërë në kuadër të operacionit “Trajektorja”, ku u arrestu autori i vjedhjeve A.Th.

“Në vijim të operacionit “Trajektorja”, zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga DVP Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të një sërë vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje me dhunë e armë, operacioni ka vijuar edhe paraditen e sotme. Mbi bazën e provave të siguruara nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë nga veprimet proaktive të kryera, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasen A. B., 20 vjeçare, banuese në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë e dyshuara 20 vjeçare dyshohet se e ka përkrahur shtetasin A. Th., duke i dhënë ndihmë për të mos u kapur nga forcat e Policisë.

“Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, thuhet në njoftimin e policisë.