Foto: Ilustrim

Arrestohet 18-vjeçari në Gjilan, i dyshuar për përfshirje në dy grabitje të armatosura brenda 48 orëve

Policia e Kosovës në Gjilan kanë arrestuar një të dyshuar për përfshirje në dy grabitje të armatosura të kryera brenda dy ditëve.

I dyshuari L.Z, është i lindur në vitin 2003.

Policia përmes një njoftimi bëri të ditur se dje, më 11 tetor 2021, në një lokal të këmbimit të valutave, i dyshuari ka kryer veprën penale “Grabitje”, ku nën kërcënim të armës kishte arritur të marrë një sasi të konsiderueshme të hollash dhe po ashtu ka shtënë në drejtim të punëtores, e cila ka pësuar lëndime trupore si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri.

Tutje, nga policia potencohet se sot, më 12 tetor 2021, përsëri u lajmëruan për një grabitje me armë në një lokal në Gjilan ku një i dyshuar, nën kërcënim të armës, pasi ka shtënë dy herë në ajër kishte arritur që t’i marrë një sasi të konsiderueshme të hollash nga kasa e lokalit.

Në njoftim thuhet se, njësitet e hetimeve të Policisë, pas një pune operative arrestuan të dyshuarin L.Z. (2003) me banim në Gjilan, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në dy rastet e grabitjes.

Nga policia tutje potencohet se, pas arrestimit, i dyshuari është sjellë stacionin policor në Gjilan ku është intervistuar në bazë të procedurave ligjore, në prani të avokatëve mbrojtës.

Si provë materiale, të dyshuarit i është gjetur arma e përdorur në këto vepra penale si dhe një shumë të hollash që janë grabitur, të cilat u janë kthyer pronarëve legjitim.

Prokurori i shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e ndalimit për 48 orë.