Foto: Policia e Shtetit

Arrestohet 16-vjeçari, dyshohet për disa vjedhje në biznese të Tiranës

Policia e Tiranës ia ka dalë të arrestojë një person, i cili dyshohet të jetë autor i disa vjedhjeve të kryera në biznese të ndryshme të qytetit.

Sipas Policisë së Shtetit, me arrestimin e 16-vjeçarit janë zbardhur dhe dokumentuar 9 raste të vjedhjeve në biznese të ndryshme ndërsa vijon puna hetimore dhe profesionale për zbardhjen edhe të disa vjedhjeve të tjera, të dyshuara të kryera nga 16-vjeçari.

Ky shtetas, sipas Policisë, në kohë dhe vende të ndryshme, gjatë orëve të vona të natës, kryente vjedhje në biznese në zona të ndryshme të Tiranës.

Prej muajit shkurt 2022 deri mbrëmjen e djeshme, kur u kap në flagrancë pas një jave ndjekje nga shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, ky shtetas ka vjedhur në 6 markete, në një magazinë, në një automjet dhe në një banesë, sende të ndryshme dhe shuma parash.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale.