Arrestohen tre vëllezër, dyshohet se e kërcënuan me armë dhe e goditën me çekiç pronarin e një lokali

Një 27 vjeçar me inicialet F.Ç., dhe dy vëllezërit e tij Xh. Ç., dhe A. Ç., janë arrestuar nga Policia e Shtetit në Durrës nën dyshimin se kërcënuan dhe goditën me mjet të fortë një pronar të një lokali.

Policia ka njoftuar se të njëjtit dyshohen se kanë kërcënuar edhe me armë imituese viktimën si dhe i kishin dëmtuar ambientet e lokalit.

Sipas policisë, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, menjëherë pas marrjes së informacionit, për një konflikt për motive të dobëta, të ndodhur në një lokal në Shijak, kanë organizuar punën për të neutralizuar konfliktin dhe për të arrestuar shtetasit përgjegjës.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale dhe hetimore të kryera në vendngjarje, shërbimet e Policisë arrestuan shtetasin F. Ç., 27 vjeç, banues në Shijak, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 vëllezërit e tij, shtetasit Xh. Ç., 32 vjeç, A. Ç., 27 vjeç, gjithashtu banues në Shijak”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Nga këto veprime rezultoi se shtetasi F. Ç., në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë kanosur me armë imituese, shtetasin M. Rr., 29 vjeç, banues në Shijak (pronar i një lokali në Shijak), e kanë goditur atë me send të fortë (çekiç), si dhe kanë thyer xhamat e lokalit në pronësi të tij.

Sendet e kundërligjshme që u përdorën për kryerjen e këtij krimi, si dhe automjeti i këtyre shtetasve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”.