INTERPOL

Arrestohen tre shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar

Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar.

“Falë bashkëpunimit të strukturave të Drejtorisë vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Elbasan, me FAST Albania dhe Interpol Tirana, janë arrestuar 3 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sipas njoftimit, nga strukturat e Policisë në Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana është arrestuar përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi shqiptar Rr. M., 30 vjeç, banues në Tiranë.

“Këtij shtetasi, Gjykata e Torinos, Itali, në datën 11 shkurt 2020, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian”, thuhet në njoftim.

Policia po ashtu ka njoftuar se nga strukturat e Drejtorisë vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me Interpol Tirana, është bërë lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit K. Ç., 37 vjeçar, banues në fshatin Mifol në Vlorë.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Torinos, Itali, me vendimin e datës 11 shkurt 2020, i ka caktuar masën “arrest në burg”, për veprën penale “organizatë kriminale me drejtim trafikimin e narkotikëve” parashikuar nga Kodi Penal italian”, njofton Policia e Shtetit.

Ndërsa personi i tretë është arrestuar nga Policia e Shtetit, si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë vendore të Policisë Elbasan dhe Interpol Tirana.

“Është bërë lokalizimi i vendndodhjes, kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimi në Itali, i shtetasit shqiptar B. D., 31 vjeçar, banues në Elbasan. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, më datë 11 shkurt 2020, i ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian”, thuhet në noftim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, do të vijojnë me procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Italisë.