ILUSTRIM: Arrestimi i një të dyshuari- Policia e Kosovës

Arrestohen tre persona, të përfshirë në rrëmbim, arratisje dhe falsifikim të parave

Tre persona janë arrestuar në rajonin e Pejës nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të ndryshme penale.

Policia e Pejës ka arritur që t’i prangosë tre të dyshuar, njëri prej tyre i përfshirë në rrëmbim, tjetri ishte i arratisur dhe i dyshuari i tretë është vetëdorëzuar në Polici për falsifikim të parave.

Policia ka bërë të ditur se në rastin e parë është arrestuar një person në dyshimin se ka rrëmbyer një person. Ky rast ka ndodhur në Istog.

Në detajet e Policisë thuhet se më 18 shkurt, rreth orës 17:30 minuta stacioni policor në Istog është  informuar për një rrëmbim në fshatin Drejë të Istogut.

Ndërkaq, më 22 shkurt pas një  pune operativo-hetimore të njësiteve të hetimeve rajonale është arritur të lokalizohet dhe të arrestohet i dyshuari B. SH.  me ç ‘rast është konfiskuar automjeti me të cilin dyshohet të jetë kryer vepra.

“Gjatë bastisjes së automjetit janë gjetur dhe konfiskuar: një revole TT cal. 7.62, dy karikatorë, njëzetë e nëntë fishekë, një maskë dhe një brisk”, thuhet në komunikatën e policisë, ndërsa viktima e rastit pas intervistimit  është liruar dhe i është dorëzuar  familjes.

Kurse, me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar ndalimi policor për 48 orë.

Në tjetrin rast policia ka arritur që të lokalizojë dhe ta arrestojë një të arratisur i cili ishte në vuajtje të dënimit në qendrën korrektuese në Lipjan.

Me urdhër të prokurorit të shtetit,  të dyshuarit i është caktuar ndalimi  policor për 24 orë.

Në anën tjetër, personi i tretë më  22 shkurt është i dyshuari me inicialet  N.G., i cili  ka qenë në kërkim policor për veprën penale – falsifikim i parasë është vetëdorëzuar në stacionin policor në Pejë.

I dyshuari është shoqëruar për në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit DPP-Prishtinë, ku është duke u trajtuar lënda.