Aparate të lojërave të fatit | Foto: KALLXO.com

Arrestohen tre persona të dyshuar për lojëra të fatit, sekuestrohen aparate e para të gatshme

Tri raste të veprës penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit janë regjistruar brenda 24 orëve të fundit në Kosovë.

Sipas raportit policor, në Prizren është raportuar se një burrë është duke organizuar dhe shpërndarë baste online.

Më 16.01.2025, i dyshuari është arrestuar dhe nga ai në cilësinë e provave materiale është sekuestruar një telefon mobil. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Podujevë më 16.01.2025 rreth orës 20:00 është arrestuar një i dyshuar tjetër pasi i njëjti në një lokal ka zhvilluar veprimtari ilegale.

“Njësiti policor në cilësi të provave materiale ka sekuestruar një shtëpizë kompjuteri, dy llaptopë, tri aparate për printim të tiketave, tiketa të shtypura dhe një shume të parave prej 292 euro. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje” – thuhet në raportin policor më 17.01.2025.

Në aksionin e Policisë u arrestua edhe në Podujevë një burrë pasi që i njëjti në një lokal ka zhvilluar veprimtari ilegale.

Njësiti policor në cilësi të provave materiale ka sekuestruar katër aparate të lojërave dhe 1,305 euro.

Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.