Arrestohen tre persona, dyshohet se kryen nxitje të urrejtjes duke vendosur thirrje nacionaliste në veturë

Një meshë është mbajtur gjatë ditës së sotme (24.11.2024) në Manastirin e Deçanit, ndërsa ky aktivitet nuk ka kaluar pa raste të raportuara në Polici. Si rrjedhojë janë arrestuar tre të dyshuar serbë.

KALLXO.com mëson se gjatë një ceremonie që është zhvilluar në Manastirin e Deçanit kanë marrë pjesë rreth 3 mijë persona.

Njëra nga veturat që kishte pjesëmarrës të kësaj ceremonie ishte përcjellë vazhdimisht nga Policia pasi në xhamat e saj kishte të vendosur thirrjen nacionaliste “Kosova është Serbi”.

KALLXO.com mëson se brenda veturës kanë qenë tre persona të nacionalitetit serbë, dy prej te cilëve, sipas burimeve, ishin ushtarakë ndërsa një ishte student.

Pas përfundimit të ceremonisë, deri sa ishin duke kaluar kufirin, ata janë ndaluar nga Policia, janë identifikuar e më pas edhe janë arrestuar.

Të njëjtit me urdhër të prokurores kujdestare në Pejë janë intervistuar, ndërsa janë dërguar në ndalim për veprën penale të nxitjes së përçarjes e mosdurimit.

E këtë të fundit e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Shkodran Nikçi, zëdhënës në Prokurorinë e Pejës.

“Ajo çka mund të ju konfirmoj se janë arrestuar tre të dyshuarit, janë intervistuar dhe janë dërguar në ndalim. Prokurorja e ka cilësuar veprën penale për te dyshuarit si nxitje, përçarje e urrejtje dhe mosdurimit”- tha Nikçi për Kallxo.com