Arrestohen tre laborantë në Vushtrri, dyshohet se mbushën raporte mjekësore pa bërë ekzaminime
Tre laborantë në një Qendër të Mjekësisë Familjare në Vushtrri janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.
Siç bën të ditur Policia e Kosovës, të arrestuarit janë B.B., shef i laboratorit, S.B., kryeteknik i laboratorit dhe V.T., laborant i laboratorit, që të tre të QMF-së 1 në Vushtrri.
Sipas Policisë, gjatë inspektimit janë konfiskuar libra të protokollit dhe raporte mjekësore, për të cilat dyshohet se laboranti V.T., në bashkëkryerje me kryeteknikun e këtij laboratori S.B., kanë shënuar vlera pa i ekzaminuar fare sipas procedurës mjekësore dhe duke i paraqitur ashtu si kanë dashur, në raportet mjekësore të pacientëve, duke filluar nga data 1 prill deri më datën 31 maj 2022.
“Kështu, bazuar në dëshmitë e siguruara përmes masave të fshehta dhe dëshmive të konfiskuara në laboratorin e në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri është siguruar dyshimi i arsyeshëm se të dyshuaritKanë kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të tre të dyshuarve i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Policia e Kosovës ka barë të ditur se arrestimet janë kryer pas hetimeve disa mujore të zhvilluara, duke aplikuar edhe masat e fshehta të hetimit, sipas urdhëresës së Gjykatës së Mitrovicës, në koordinim me prokurorin e rastit dhe të asistuar nga Inspektorët e Shëndetësisë.