ARKIV: Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Arrestohen të dyshuarit për kërcënim ndaj Agim Bahtirit

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, për të cilët KALLXO.com merr vesh se janë të dyshuarit për shantazh dhe kanosje ndaj kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit.

Policia ka njoftuar se sot janë arrestuar B.SH., (viti i lindjes 1997) nga Lipjani, dhe F.S. (viti i lindjes 1996-Mitrovicë) Lipjan.

“Me datë 15.10.2020, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka pranuar një informacion lidhur me persona të dyshuar, të cilët dyshohet se përmes rrjetit social FACEBOOK dhe përmes rrjetit social “Messenger”, janë duke e detyruar viktimën m/k për t’i dhënë një shumë  të parave në vlerë prej (25 000 Euro) njëzet e pesëmijë eurove përndryshe do t’ia publikojnë disa fotografi të cilat do të ndikojnë në imazhin e tij dhe të familjes së tij dhe po ashtu e kanë kanosur vazhdimisht viktimën se “nëse nuk i jep paratë do ta dëmtojnë atë dhe familjen e tij”, thuhet ne njoftimin e Policisë.

“Me këtë rast dyshohet se të dyshuarit me qëllim të përfitimit material kanë kryer veprat penale “Shantazhi” sipas nenit 329 i KPK-së dhe Kanosja nga neni 181 i kodit penal të Republikës së Kosovës. Drejtoria për Hetime të Krimeve të Rënda në Prishtinë nën autorizimet e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka zhvilluar hetime në këtë rast dhe më datë 24.11.2020 rreth orës 17:25  në qytetin e Lipjanit ka arrestuar personat e dyshuar.  Nga të dyshuarit janë sekuestruar tre telefona, dy IPHONE dhe një SAMSUNG dhe një USB në cilësi të provave materiale. Pas kontaktit me prokurorin kujdestar në Mitrovicë, të dyshuarit është vendosur të dërgohen në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore. ”, pohon Policia.