Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arrestohen pesë zyrtarë policorë të dyshuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare

Pas veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorinë e Prizrenit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot pesë zyrtarë policorë që ishin të përfshirë si të dyshuar në një incident (një rreshteri dhe katër zyrtarëve policorë – që të gjithë punonjës në Njësinë Speciale Operative).

“Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor” kurse me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur në korrik të vitit të kaluar në Prizren.

Hetuesit e IPK-së pas pranimit të rastit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren që kanë përfshirë marrjen e deklaratave nga dëshmitarët okular si dhe sigurimin e disa audio incizimeve ditëve të fundit.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

IPK rekomandon suspendimin e pesë zyrtarëve policorë