Prokuroria Speciale
Arrestohen pesë persona për krime lufte
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar për arrestimin e pesë personave për krime lufte të shtunën më 03.08.2024.
Të njëjtit dyshohet se në prill të vitit 1999 kishin kryer vrasje dhe kishin djegur për së gjalli viktimat.
Të arrestuarit, sipas njoftimit, janë personat me inicialet D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh.
Prokuroria Speciale ka treguar detaje se për cfarë po dyshohen pesë personat e arrestuar.
“Të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtar tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë” – thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për personat e lartcekur do t’i ndërmerre veprime e mëtejme procedurale ligjore, derisa ndaj kësaj çështjeje penale do të vazhdojë me zhvillimin e hetimeve.