Arrestohen pesë persona, konfiskohen disa kilogram drogë

Pesë persona janë arrestuar nën dyshimin për ‘blerje, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’.

Mbi nëntë kilogram substance narkotike e llojit marihuanë është konfiskuar nga aksioni i policisë i cili u realizua gjatë ditës së sotme. 

Në anën tjetër policia ka treguar se hetimi për këtë rast ka nisur tre muaj më parë .

Policia ka publikuar edhe pamje të aksionit.

Gjatë ditës se sotme zyrtarët policorë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit më Narkotik në Mitrovicë kanë realizuar kontrolle në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve: B.I., (viti i lindjes 1970, mashkull kosovar), Sh.I., (viti i lindjes 1977, mashkull kosovar), M.I., (viti i lindjes 1993, mashkull kosovar), F.M., (viti i lindjes 1989, mashkull kosovar) dhe U.Q., (viti i lindjes 1970, mashkull kosovar). 

Bastisjet janë realizuar në fshatrat Bec dhe Brovinë dhe në qendër të Gjakovës. Zyrtarët policorë të antidrogës janë ndihmuar në këtë operacion policor nga Njësia Speciale Operative e Mitrovicës, Njësia K9, forenzika dhe zyrtarë nga Stacioni Policor Gjakovë.

 ​Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar si provë materiale:

  • Substancë, dyshohet të jetë marihuanë në peshë 9128.86 gram;
  • Njëqind e katër dhjetë (140) fara të dyshohet të jenë kanabis sativa;
  • Gjashtë (6) gërshërë për krasitjen e bimëve narkotike;
  • Njëzetë e tetë (28) bimë narkotike kanabis sativa me gjatësi prej 110 – 223 cem;
  • Katër (4) peshore për matje;
  • Folje e tejdukshëm për mbështjelljen e narkotikëve;
  • Njëmbëdhjetë (11) fishekë të kalibrave të ndryshëm;
  • Pajisje për ndriçim artificial të bimëve narkotike kanabis sativa;
  • Katër (4) vetura dhe
  • Katër (4) telefona celular.

 Pas intervistimit në pranin e avokatëve mbrojtës të caktuar nga Oda e Avokatëve, të gjithë të dyshuarit me vendim të prokurorit të shtetit shkojnë në ndalim policor për 48 orë.