Arrestohen një polic dhe një doganier, dyshohen për marrje ryshfeti

Një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe një i Doganës janë arrestuar më 05.11.2024, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale marrje e ryshfetit.

Kështu ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës përmes një njoftimi për media në të cilin është treguar se më 04.11.2024, Task Forca e përbashkët Doganë-Polici, “në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë identifikuar një rast korrupsioni ku të dyshuar ishin një zyrtar doganor dhe një zyrtar policor”.

“Menjëherë pas dyshimit se zyrtarët në koordinim merrnin pagesa të jashtëligjshme u njoftua Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe njësitë relevante të Doganës të cilët në koordinim realizuan arrestimin e një zyrtari doganor dhe një zyrtari policor për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme” – ka njoftuar IPK.

Dy zyrtarët thuhet se u ndaluan nën dyshimin se kishin bashkëpunuar për marrje të parave nga drejtues të kamionëve për të lehtësuar kalimet nëpër pikën kufitare- Hani i Elezit.

IPK njofton se dy të arrestuarit do të përballen me procedurat ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të njëjtëve me aktvendim të prokurorit tashmë u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Ky aksion është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit doganor dhe policor të Kosovës” – njofton Inspektorati.

Gjithashtu, sipas IPK-së, Task Forca Doganë-Polici mbetet e angazhuar në mënyrë të vendosur për të çrrënjosur çdo formë të sjelljes së paligjshme dhe për të siguruar mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit.

Dogana e Kosovës dhe IPK inkurajuan qytetarët që të raportojnë çfarëdo akti të paligjshëm përmes mekanizmave të dedikuar të raportimit për të rritur më tej transparencën dhe sigurinë në shërbimet tona.