Ilustrim Foto: KALLXO.com
Arrestohen një burrë e një grua – Dyshohen se mashtruan një person dhe i morën 80 mijë dollarë
Policia e Kosovës me urdhëresë të Prokurorisë ka kontrolluar dhe sekuestruar disa shtëpi dhe lokale përcjellëse në dy lokacione, në Pejë dhe Klinë.
Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, disa muaj janë zhvilluar hetime ndaj personave të dyshuar, se janë duke kryer vepra të mashtrimit dhe shantazhit përmes internetit.
Në dy lokacionet e kontrolluara u arrestuan edhe dy persona të dyshuar, një burrë dhe një grua.
Si prova materiale u sekuestruan një veturë, dëshmi të transaksioneve nga unionet financiare, dy telefonë mobil, dy revole, tetë copë municion dhe një maskë.
“I dyshuari kryesor në këtë rast ka përdorur rrjetet sociale duke përdorur emër dhe fotografi personale të rrejshme, me qëllim të zhvatjes financiare i dyshuari ka arritur të mashtroj viktimën e cila i ka dërguar atij para përmes unioneve financiare” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë.
Të dyshuarit, përmes mashtrimit i shkaktuan viktimës dëm në vlerë prej 80 mijë dollarëve amerikanë.
Dy personat e arrestuar u dërguan në mbajtje për 48 orë.