Ilustrim

Arrestohen një 29-vjeçar dhe një 60-vjeçar për dhunë në familje

Dy burra janë arrestuar gjatë ditës së djeshme në dy raste të ndara të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt.

Rasti i parë dyshohet se ka ndodhur rreth orës 17:50, kur Policia në Kaçanik ka pranuar një informacion se në fshatin Gërlicë e Epërme është një rast i dhunës në familje.

Lidhur me këtë, në njoftimin e Policisë është thënë se nga ana e zyrtarëve policorë menjëherë janë marrë veprimet e nevojshme.

“Kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar personin A.P, i moshës 29-vjeçare” – tha Policia, duke treguar se i dyshuari për shkak të një mosmarrëveshje në familje ka shkaktuar dhunë psiqike ndaj motrës së tij.

I arrestuari po ashtu dyshohet se gjatë kësaj kohe ka dëmtuar edhe derën e shtëpisë.

Ende pa u bërë katër orë të plota, Policia e Ferizajt ka pranuar edhe një informatë tjetër për një rast të dhunës në familje.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 20:25 në fshatin Gjurkovc të Shtimes, ku Njësia e Dhunës në Familje thuhet se menjëherë i kanë marrë veprimet e nevojshme.

Në këtë rast është arrestuar një burrë i moshës 60-vjeçare, i cili dyshohet se ka shkaktuar dhunë psiqike ndaj gruas së djalit të tij.

“Kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar personin R.I, i moshës 60-vjeçare, i cili shkak i një mosmarrëveshje në familje, kishte shkaktuar dhunë psiqike ndaj gruas së djalit të tij” – tha Policia.

Tutje Policia tregoi se të dyshuarit, në të dy rastet janë shoqëruar në stacionin e policisë dhe pas intervistimit nga policët hetues të dhunës në familje, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.