Foto: Ilustrim

Arrestohen katër të kërkuarit për veprat penale “grabitje” dhe “vjedhje e rëndë”

Policia e Kosovës në rajonin e Pejës ka arrestuar katër persona të cilët ishin në kërkim nga organet e rendit. Sipas Policisë, kapja e të kërkuarve ka ndodhur pas një pune operative-hetimore për sigurimin e informacione për vendndodhjen e personave të kërkuar.

“Në orët e mëngjesit të datës 29.07.2021, njësitet e Stacionit Policor në Pejë të mbështetura nga Njësiti për reagim të shpejtë (NJRSH), kanë arrestuar katër persona në lokacione të ndryshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Personat e arrestuar kërkoheshin për veprat penale: tre persona të dyshuar për veprën penale “Grabitje” të cilët janë të dënuar me katër vite burg dhe një person i dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Pas arrestimit, tre të dyshuarit për veprën penale “grabitje” janë dërguar në qendrën e paraburgimit në Prishtinë për vuajtje të dënimit, ndërsa personi i dyshuar për veprën penale “vjedhje e rendë” është dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, thuhet në njoftimin e Policisë.