Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohen katër persona të kërkuar nga Policia për trafikim me narkotik

Policia e Kosovës ka arrestuar sot katër persona të dyshuar për përfshirje në trafikim me narkotik.

Të arrestuarit ishin në kërkim nga muaji mars dhe korrik 2021 pas një operacioni ku ishin konfiskuar 60 kilogramë marihuanë.

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN) sot kanë realizuar kontrolle në tri lokacione. Dy në fshatin Dobratin dhe një në fshatin Doberdol të Podujevës.

“Policia gjatë operacionit të sotëm ka arritur t’i gjejë dhe arrestojë katër të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge’”, ka njoftuar Policia.

Të arrestuarit në këtë rast janë: A.M., M.R., A.M., dhe M.A, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

Policia ka njoftuar se gjatë muajit mars dhe korrik 2021, kishin realizuar operacione policor kundër trafikimit me narkotik. Si rezultat i operacioneve ishin konfiskuar mbi 60 kilogram marihuanë. Nga ajo kohë, të kërkuar nga policia nën dyshimin e përfshirjes në trafikim me narkotik ishin disa të dyshuar.