
Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Arrestohen dy vëllezër në Leposaviq - Policia u konfiskon armë e municion
Dy persona janë arrestuar në Vuçë të Leposaviqit, më 10.03.2025.
G.K, 54 vjeçar, është arrestuar nën dyshimin se ka kanosur një person tjetër.
Në shtëpinë e të dyshuarit dhe në shtëpinë e vëllait të tij R.K., 52 vjeçar, Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar pushkë, fishekë, bajonetë dhe një thikë.
“Një pushkë me tytë të gjatë (karabinë), 126 fishekë të kalibrit 11.53 mm, 229 fishekë të kalibrit 7.62 m, një bajonetë (thikë pushke) me gjatësi 37 cm, një thikë me gjatësi 23 cm.” – ka bërë të ditur Policia, armët e sekuestruara.
Në njoftim theksohet se dy të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në Stacion Policor.
G.K, në prezencën e avokatit ka ushtruar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje dhe me Urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Ndërsa i vëllai, R.K është liruar në procedurë të rregullt.
Sipas Policisë, rasti është iniciuar si “kanosje” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Siç theksohet në njoftim rasti mbetet nën hetime të mëtejme në Stacionin Policor – Leposaviq.