Foto: Policia e Kosovës/Facebook

Arrestohen dy të rinj në Mitrovicë

Dy persona janë arrestuar sot në Mitrovicë nën dyshimin se kanë kryer tri vepra të ndryshme penale.

Të dyshuarit A.Th., 24 vjeçar, dhe E.Th., 24 vjeçar thuhet se më 4 prill, nën kërcënimin e armës kanë sulmuar fizikisht viktimën duke i shkaktuar lëndime trupore.

Ngjarja thuhet se ka ndodhur në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë.

“Hetuesit e Stacionit Policor në Mitrovicën e Jugut, në mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale ‘Armëmbajtje pa leje’, ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Dëmtim i pasurisë’”, ka thënë policia.

Tutje është njoftuar se lidhur me rastin në cilësi të provës material nga të dyshuarit është sekuestruar një armë e gjatë – pushkë automatike.

Po ashtu, policia ka njoftuar se pas procedurave të intervistimit, me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.