Ilustrim

Arrestohen dy të dyshuar për tregti të ndaluar, konfiskohet duhan

B.M. dhe B.M. nga Gjilani janë arrestuar nën dyshimin se në shtëpitë e tyre kanë përpunuar, grirë dhe paketuar duhan të cilin më pas e kanë plasuar në treg, njofton Policia.

Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën të avokatëve, është njoftuar prokurori i shtetit dhe me aktvendim mbi ndalimin të personave,  janë ndaluar në qendrën e ndalimit për 48 orë.

“Duhanit të përpunuar i kanë vendosur lloje të ndryshme të firmave të duhanit. Një sasi e madhe e duhanit të grirë të përpunuar, të papërpunuar dhe cigaret pa banderol , makinat për grirje dhe përpunim të duhanit janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës”, shkruan në komunikatë.

Kontrolli në shtëpitë e tyre është bërë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit–Gjilan, e përkrahur nga Njësia e Reagimit të Shpejtë-Gjilan, nga Dogana e Kosovës dhe Agjencia Tatimore e Kosovës me urdhëresën e Gjykatës së Gjilanit.

Ky operacion/kontroll është realizuar për shkak të dyshimit se të dyshuarit e lartshënuar kane kryer veprën penale – tregti e ndaluar.