Arrestohen dy të dyshuar për posedim të narkotikëve dhe të armëve

Dy persona janë arrestuar nga Policia nën dyshimin për posedim të narkotikëve dhe të armëve.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar 2 kilogramë mariuhanë, një revole, një karikator dhe 12 fishekë, dje në drejtimin Gjakovë – Prishtinë.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Gjakovë bashkë me njësitë patrulluese nga stacioni policor në Klinë kanë ndaluar një veturë të cilën e kanë konfiskuar, e bashkë me të edhe një qese najloni të mbushur me 1 kg e 425 gramë narkotikë të llojit mariuhanë.

Pas arrestimit të dy personave, njësitë policore kanë kontrolluar shtëpinë dhe dyqanin e njërit nga të dyshuarit, ku kanë konfiskuar 14 mijë e 75 euro, 536 gramë mariuhanë në një qese najloni, dy telefona mobil, një revole, një karikator dhe dy fishekë të kalibrit 9×19 mm.

Sipas Policisë së Kosovës, kjo ngjarje ka ndodhur pas pranimit të informacioneve se dy persona të dyshuar me një veturë janë duke transportuar substanca narkotike në drejtimin Gjakovë – Prishtinë.

“Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit ndalohen në ndalim policor ndërsa rasti i kompletuar u dedikohet njësive policore kompetente për trajtim të mëtutjeshëm.” – thuhet në njoftimin e Policisë.