Ilustrim: Arrestimi i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohen dy të dyshuar në Fushë Kosovë për disa vjedhje të rënda

Policia në Rajonin e Prishtinës ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një aksion, ku si rezultat ka arritur të arrestoj dy persona të dyshuar.

Zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës Florie Ahmeti ka konfirmuar rastin për KALLXO.com, ku ka bërë të ditur se të dyshuarit ata janë arrestuar pasi të njëjtit janë zënë në flagrancë për vjedhje të rëndë.

“Sot nga hetuesit policor të Fushë Kosovës, janë arrestuar në flagrancë, dy persona të dyshuar për vjedhje të rëndë. Aksioni i hetuesve është realizuar në rrugën “Abedin Sogojeva” në Fushë Kosovë, saktësisht në një parking, ku personat e dyshuar po tentonin që të merrnin pjesë (katalizatorin) nga një veturë”, ka thënë Ahmeti për KALLXO.com.

Ajo ka shtuar se ka qenë reagimi i shpejtë i policisë në rroba civile ai që ka rezultuar me arrestimin e personave të dyshuar.

“Janë arrestuar M. N, 30 vjeçar i përfshirë si i dyshuar në 35 vepra, dhe F. N, 18 vjeçar, i përfshirë si i dyshuar në 19 vepra, kryesisht vjedhje të rënda dhe vjedhje”, ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, personat e dyshuar, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që policia ka identifikuar edhe të dyshuarin e tretë.

“M. V, 27 vjeçar, është i dyshuari i tretë, i cili aktualisht është në arrati. Hetuesit policor kanë filluar proceduarat e nevojshme policore ndaj të arrestuarve, të cilët dyshohet të jenë të përfshirë edhe në raste të tjera të veprave të natyrës së njëjtë”, tha Ahmeti.

KALLXO.com ju sjell fotografinë e veturës nga e cila personat e dyshuar po tentonin që të merrnin katalizatorin.