Arrestohen dy të dyshuar për grabitjen dhe plagosjen në Prizren

Dy persona të dyshuar për tentim grabitjen dhe plagosjen e pronarit dhe djalit të tij në një argjendari në Prizren janë arrestuar mëngjesin e sotëm.

Të njëjtit po dyshohen se kanë qenë të përfshirë në rastin e mbrëmjes së të hënës ku kanë mbetur të plagosur dy persona.

Sipas burimeve të KALLXO.com, gjatë këtyre ditëve është bërë identifikimi dhe hetimi intensiv në lidhje me rastin, ndërsa mëngjesin e sotëm janë arrestuar dy të dyshuar.

Mbrëmjen e së hënës, KALLXO.com raportoi në lidhje me tentim grabitjen në një lokal argjendarie në Prizren.

Pronari dhe djali i tij kishin mbetur të plagosur nga të shtënat me armë të tre personave të cilët të armatosur dhe të maskuar kishin tentuar të grabisnin.

Të njëjtit pas plagosjes ishin larguar me një veturë ndërsa pas disa minutave e njëjta veturë e dyshuar që u përdor në rast ishte hasur e djegur në një fshat të Prizrenit.

Të dyshuarit nën kërcënim të armës kishin vjedhur një veturë të një kalimtari dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Njëri nga të dyshuarit siç mëson Kallxo.com ka qenë i përfshirë edhe në disa vjedhje të tjera dhe është recidivist i veprave penale të vjedhjeve dhe grabitjeve.

Tentim-grabitje në një argjendari në Prizren, plagosen dy persona