Ilustrim

Arrestohen dy shtetas të huaj, dyshohen për vjedhje të rëndë

Dy burra, njëri shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe tjetri shtetas i Serbisë janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nën dyshimin se kanë kryer vjedhje.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti që është iniciuar si “Vjedhje e rëndë dhe vjedhje e veturës”, ka ndodhur më mes datave 6 qershor – 28 korrik të këtij viti në rrugën Fazli Grajçevci në Fushë Kosovë.

Policia thuhet se ka kryer dy bastisje ku janë gjetur dhe sekuestruar tre telefona, pajisje të modifikuara të cilat shërbejnë për hapjen dhe ndezjen e veturave, rroba të cilat dyshohet se i ka përdorur i dyshuari, një veturë me targa të huaja dhe 27o euro.

Duke iu referuar njoftimit të Policisë, në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.