Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Arrestohen dy shqiptarë dhe një serbe në veri të Mitrovicës gjatë "orës policore"

Gjatë natës së djeshme në veri të Mitrovicës janë arrestuar tre persona, derisa po udhëtonin me automjetin e tyre

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë pas orës 20:30 minuta.

KALLXO.com mëson se në automjetin e tyre policia kishte gjetur një pistoletë të markës TT, ndërsa dyshohet se edhe automjeti është me origjinë të dyshimtë.

Ndërsa burime të KALLXO.com kanë bërë të ditur se dy personat e gjinisë mashkullore janë shqiptarë nga jugu i Mitrovicës, ndërsa personi i tretë, një grua, është e nacionalitetit serb nga një qytet i Serbisë.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

Sipas tij, policia gjatë kontrollit të një veture e cila ka qenë duke qarkulluar në kohën kur nuk është dashur, ka gjetur një armë, me ç’rast ka arrestuar tre persona.

“Janë arrestuar dy meshkuj shqiptarë dhe një person tjetër e gjinisë femërore, serbe. Janë ndalë rreth orës 20:30 min me veturë në kohën kur nuk është dashtë me qarkullu dhe gjatë kontrollit në posedim të njërit prej personave është gjetԹ një armë ilegale, një revole, që të tre janë shoqëruar në stacion policor”, tha Hoti.

Gjithashtu Hoti ka potencuar se ndaj tyre është hapur rasti për armëmbajtje pa leje, kurse për shkak të situatës pandemike janë njoftuar edhe ekipet shëndetësore, ndërsa të arrestuarit janë futur në izolim shtëpiak.

Tre të arrestuarit janë ndalur parimisht për shkak të mos respektimit të rregullave ndërsa janë arrestuar për armëmbajtje pa leje.

“Është hapë rasti për armëmbajtje pa leje, vetura me të cilën kanë qarkulluar duhet të kontrollohet për çështje të autenticitet të veturës, vetura ka qenë me targa, ndërsa për shkak të mos zbatimit dhe mospërshtatjes se veprimeve të tyre lidhur me çështjet shëndetësore për epideminë janë njoftuar edhe ekipet mjekësore për çështje të kontrollit për virus të mundshëm, kanë ardhë ekipet mjekësore dhe të tre janë futur në izolim shtëpiak. Procedura ndiqet edhe për armëmbajtje pa leje “, tha Hoti për KALLXO.com.