Arrestohen dy persona që po kërkoheshin për plantacionin e drogës në Klinë
Dy persona, Gzim e Faik Gashi, të cilët ishin në kërkim me urdhër të prokurorit Ersan Qavolli në lidhje me rastin e plantacionit të drogës në Klinë, janë arrestuar.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Prokuroria e Pejës.
Dy të dyshuarit janë arrestuar në Prishtinë.
Tre shtetas të Kosovës dhe dy shtetas të Shqipërisë, Policia e Kosovës i kishte shpallur në kërkim, si të dyshuar për plantacionin e kanabisit në Klinë.
Përmes një komunikate për media, Policia kishte thënë se personat e dyshuar me autorizim të organeve të drejtësisë shpallen në kërkim nën dyshimin se të njëjtit duke bashkëpunuar dhe bashkëvepruar kanë kryer veprën penale – kultivim i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit.
Të dyshuarit janë Gzim Gashi, Faik Gashi dhe Selim Gashi, të tre nga komuna e Klinës, si dhe Marglen Comani dhe Albion Kalemi, shtetas të Shqipërisë.
Arrestimi i Gzim dhe Faik Gashit erdhi pas një pune të gjatë e intensive të hetuesve të njësitit për hetimin e trafikimit me narkotikë në Pejë në bashkëpunim me njësitë tjera policore FIT, Fast Kosova dhe AKI.
Në anën tjetër siç mëson KALLXO.com, njëri nga të arrestuarit dyshohet se është edhe personi që kërcënoi prokurorin Ersan Qavolli pas operacionit dhe shkatërrimit të drogës.
Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përmes një komunikate për media të datës 11.10.2024, i kanë dënuar ashpër kërcënimet e bëra përmes rrjeteve sociale ndaj prokurorit të Departamentit për Krime të Rënda, njëkohësisht zëvendëskryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës, Ersan Qavolli.
Sipas njoftimit, këto njoftime vijnë si rrjedhojë e punës së tij zyrtare që ndërlidhen me veprimet e ndërmarra në cilësinë e prokurorit për rastin e plantacioneve me bimë narkotike, të zbuluara kohëve të fundit.
KPK dhe ZKPSH kanë theksuar se këto kërcënime janë akte të shëmtuara, të papranueshme dhe të patolerueshme dhe se këto dy institucione u bëjnë me dije atyre që fshihen prapa tyre se janë të vendosur të qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurorit Qavolli.
Shënim: Ky artikull është edituar, me ç’rast është shtuar edhe vendi ku janë arrestuar të dyshuarit. Koha e editimit: 30.10.2024, ora 21:56.