Foto: Ilustrim

Arrestohen dy persona për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje në Malishevë

Policia e Kosovës (PK) ka arrestuar dy persona nën dyshimin e vjedhjes dhe armëmbajtje pa leje.

Rasti ka ndodhur në fshatin Mleqan të Malishevës, në të cilin ditëve të fundit kishin ndodhur disa raste të vjedhjeve.

Sipas Policisë një qytetar ka raportuar se dy persona të dyshimtë me forcë kanë hyrë në shtëpinë e tij dhe nga aty kanë vjedhur stoli ari dhe para në vlerë prej rreth 7,000 euro.

PK njofton se të dyshuarit duke ikur janë kapur nga banorët e fshatit dhe si prova materiale u kanë sekuestruar një pistoletë për të cilën dyshohet se ishte përdorur në rast, 1,400 euro dhe disa stoli ari.

Gjithashtu afër vendit të ngjarjes është gjetur një pistoletë me tre fishekë e cila dyshohet se ishte përdorur nga të dyshuarit, një gëzhojë fisheku dhe disa stoli ari, raporton Policia.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Rasti vazhdon të hetohet.