Arrestohen dy persona për kanosjen e Vehbi Kajtazit

Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për kanosjen që i kanë bërë gazetarit Vehbi Kajtazi.

Sipas njoftimit të Policisë, personat kishin kanosur gazetarin përmes rrjeteve sociale.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet për këtë rast ku ka iniciuar rast për veprën penale “Kanosja”, të paraparë sipas Kodit Penal të Kosovës.

“Pas raportimit të kërcënimeve ndaj V.K., si rezultat i deklaratave të bëra në një emision televiziv vendor, më 16 dhjetor 2021, me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Kanosja””, thuhet në njoftim.

Prokurori i shtetit ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme karshi kësaj çështjeje.

Ndaj rastit kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët kishin ftuar Policinë e Kosovës “që të ofrojë siguri për të dhe personat e afërt të tij, si dhe të trajtojë me prioritet rastin e paraqitur nga ai”.

Vehbi Kajtazi, ka pretenduar për një numër të madh kërcënimesh, mbi 100, që ka marrë pas deklaratave të tij në RTV Dukagjini rreth “Grupit të Kumanovës”.

Prokuroria nis hetimet për rastin e kanosjes ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi

Kërcënohet me jetë gazetari Vehbi Kajtazi