Arrestohen dy persona për grabitje, iu gjet edhe drogë - FOTO

Një 20 vjeçar dhe një 18 vjeçar kanë përfunduar prapa grilave sot. Të njëjtit, po dyshohet se kanë kryer një grabitje të armatosur para tre dite në një popë derivatesh në Fushë Kosovë.

Sipas Policisë së Kosovës, pas arrestimit janë bastisur edhe dy lokacione ku edhe kanë sekuestruar një sasi të marihuanës.

“Sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme, që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, janë arrestuar dy persona të dyshuar për grabitje të armatosur. Rasti ka ndodhur me datën 23 gusht 2021 në Fushë Kosovë, saktësisht në një pompë derivatesh”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

“Progresi i hetimit policor për këtë rast ka rezultuar me identifikimin dhe  arrestimin e personave të dyshuar: A. A,  mashkull, 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,  dhe P. O,  mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës , për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit kanë qenë të përfshirë në rastin e grabitjes”, njoftojnë forcat e rendit.

“Në koordinim më prokurorin hetuesit policor kanë kryer edhe bastisje në dy lokacione, ku kanë arritur të gjejnë dhe sekuestrojnë: -një sasi të substancës narkotike (marihuanë). Personat e dyshuar me vendimin e prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje përderisa hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastin”, thuhet në fund të njoftimit.