Foto: PK

Arrestohen dy persona, në veturë iu gjetën drogë, armë e para të gatshme

Policia ka arrestuar dy persona gjatë ditës së sotme pasi gjatë një patrullimi të zakonshëm kishin hasur në një veturë të dyshimtë.

Sipas Policisë, sot rreth orës 14:20 një patrullë e stacionit policor për mbikëqyrje të kufirit në Ponoshec në Gjakovë derisa ishin në një kontroll rutinor në rajonin e Deçanit, kanë ndaluar një automjet pa targa, me pronar E.K., i cili ishte i shoqëruar me personin A.D., që të dy shtetas kosovarë.

Pas kontrollit nga ana e zyrtarëve policorë janë gjetur dhe sekuestruar, 14 qese të vogla me substancë narkotike e dyshuar kokain me peshë 4.1 gramë, një pistoletë me një karikator dhe një fishek dhe 2,000 euro para të gatshme.

Policia ka njoftuar tutje se i dyshuari E.K. është person i njohur për Policinë për shkak se i njëjti është marrë me kultivim dhe posedim të narkotikëve.

Lidhur me rastin janë njoftuar të gjitha njësitet relevante si dhe të gjitha veprimet janë kryer në konsultim me prokurorin kompetent në Pejë. Të dyshuarit me urdhër të prokurorit ndalohen për 48 orë.