Arrestohen dy persona në Vërmicë - Policia iu gjeti armë dhe municion në veturë

Policia e Kosovës, pas kontrollit në një automjet me targa të Shqipërisë, më 16.03.2025, ka konfiskuar armë zjarri, teksa ka ndaluar dy persona për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i kundërligjshëm i armës apo municionit”.

“Si rezultat i punës dhe angazhimeve të Njësitit patrullues kufitar, SPMK – Vërmicë, më 16.03.2025, në fshatin Gorozhup, është ndaluar automjeti BMW X3, me targa (AB), ku pas legjitimimit dhe kontrollimit të dy personave dhe veturës janë gjetur: një armë kallashnikov model K9, me një karikator të zbrazët; një pistoletë Sig Sauer, me tre karikatorë të zbrazët, këllëfi i pistoletës me nëntë fishekë të kalibrit 9 mm, një thikë gjuetie, si dhe një palë dylbi optike Patrol Rifle Optik.” – njoftoi Policia përmes një komunikate për media.

Policia bëri të ditur se dy të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit Vërmicë, ku pas intervistimit ndaj njërit të dyshuar është lëshuar Vendimi mbi ndalim, kurse i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.