Foto: KALLXO.com Ilustrim

Arrestohen dy persona në Shtime, dyshohet se inskenuan një rast rrëmbimi në Jezerc

Policia në Shtime ka arrestuar dy persona për shkak të dyshimit se deklaruan rrejshëm dhe inskenuan një rast rrëmbimi.

Në Polici është raportuar fillimisht më 29.01.2025, rreth orës 20:45, se kishte ndodhur një rast rrëmbimi në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime.

Dyshimet e para të Policisë ishin se persona të panjohur kishin rrëmbyer një qytetar dhe e kishin dërguar në fshatin Jezerc të Ferizajit.

Prandaj, Policia e ka trajtuar rastin si: “privim i kundërligjshëm i lirisë”.

“Gjatë hetimeve dhe sigurimit të provave të mjaftueshme, hetuesit policorë kanë arritur të zbulojnë se deklarimet për rastin nuk ishin të vërteta. Për pasojë sot, më 07.02.2025, janë shoqëruar në cilësinë e të dyshuarve dy persona, të cilët dyshohet se kanë inskenuar rastin: H.L., 21 vjeç dhe E.S., 24 vjeç.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 07.02.2025.

Pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të Prokurorit, Policia e ka rikualifikuar rastin si “lajmërim apo kallëzim i rremë”.

“Hetimet për rastin do të vazhdojnë në koordinim me organet e Drejtësisë.” – njofton Policia.