Ilustrim, Arrestimi i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohen dy persona në Prizren për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit në Prizren.

Policia ka njoftuar se pas pranimit të informacioneve relevante për zhvillimin e veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me lojërat e fatit, gjatë vikendit ka ndërmarrë aksion për bastisjen e dy lokaleve ku dyshohej për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

“Në dy lokacione të ndryshme në rajonin e Prizrenit janë realizuar kontrolle të lokaleve, janë arrestuar dy persona të dyshuar si dhe janë sekuestruar dëshmi të ndryshme”, ka njoftuar policia.

Në rastin e parë, policia ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar pasi që në lokalin e tij në Prizren kishte organizuar lojëra të fatit.

Në këtë lokal policia ka njoftuar se ka sekuestruar katër aparate dhe 1 mijë e 406 euro para të gatshme.

Ndërsa, i dyshuari i dytë është arrestuar në Dragash, pasi që i njëjti në lokalin e tij kishte organizuar lojërat të fatit.

Policia ka bërë të ditur se pas kontrollit të lokalit janë sekuestruar dy aparate, dy shtëpiza kompjuteri dhe 2 mijë e 987 euro para të gatshme.

“Pas realizimit të proceduarve nga Policia, janë iniciuar rastet “organizim i skemave dhe bixhozit të paligjshëm” dhe dy të dyshuarit e arrestuar me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, njofton policia.

Policia ka inkurajuar të gjithë qytetarët që çdo informacion lidhur me ndonjë veprimtari të kundërligjshme ta ndajnë me Policinë e Kosovës, në mënyrë që në bashkëpunim të reduktohen apo të ndalohen veprimtaritë e tilla.