
Arrestohen dy persona në Pejë, dyshohet se keqpërdorën kartelat bankare të qytetarëve të tjerë
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Pejë të dyshuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rremë” dhe “keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”.
Sipas njoftimit organet e rendit më 17.01.2024 kanë kryer kontrolle të tri lokacione sipas urdhrit të Gjykatës Themelore në Pejë.
“Dy persona të dyshuar në këtë rast, një femër dhe një mashkull kosovarë, dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete kanë keqpërdorur kartelat bankare të disa personave dhe ua kanë tërhequr mjetet e përfituara nga skema pensionale. Tërheqja e parave dyshohet se ka ndodhur në vazhdimësi për disa muaj”- thuhet në njoftim.
Policia gjatë kontrollit kanë sekuestruar gjashtë kartela bankare në emër të personave të tjerë, një telefon dhe dokumentacion me rëndësi.
Organet e rendit kanë gjetur dhe dy armë zjarri për të cilat pas konsultimit me prokurorin është iniciuar rast i veçantë.
Personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri 48 orë.