Ilustrim

Arrestohen dy persona, dyshohet se me dokumente të falsifikuara tentuan të shesin tokë në vlerë 1 milion euro

Dy persona janë arrestuar për falsifikim të dokumenteve, të cilat i kanë përdorur për të shitur 10 hektarë tokë në vlerë prej një milion euro.

“Një person i dyshuar ka ndryshuar dokumentin origjinal, letërnjoftimin e shtetit të Serbisë, duke vendosur fotografinë e vetë në letërnjoftim të personit tjetër gjithashtu nga Serbia, duke e shfrytëzuar dhe pretenduar shitjen e disa pronave në zonën kadastrale në komunën e Suharekës”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se i dyshuari në fjalë pasi ka falsifikuar letërnjoftimin e pronarit legjitim të pronave në këtë zonë, më pas ka autorizuar të dyshuarën me iniciale S.M., që e njëjta të vazhdojë me shitjen e pronave së bashku me personin H.I., i cili ka shtetësinë e Kosovës dhe të Serbisë.

Dy personat e dyshuar S.M. dhe H.I. janë intervistuar në prezencë të mbrojtësve të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe përkthyesit, dhe pas intervistimit të njëjtëve me aktvendim të Prokurorit të Shtetit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet lidhur me këtë rast do të vazhdojnë në drejtim të arrestimit të personit të tretë të dyshuar dhe eventualisht personave tjerë të përfshirë në këtë rast.