Foto: Ilustrim

Arrestohen dy persona, dyshohet se fituan tenderë në vlerë rreth 100 mijë euro pa i plotësuar kriteret

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se kanë përfituar tenderë nga institucionet e shtetit pa i plotësuar kriteret.

Sipas Policisë, vlera e tenderëve është rreth 100 mijë euro.

Të arrestuarit S.D. dhe A.D. dyshohen për dy vepra penale: falsifikim i dokumenteve, dhe keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

“Lidhur me rastin pas veprimeve hetimore është vërtetuar se të dyshuarit  kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruar qarkullimin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin Bankar të Falsifikuar në një bankë, vlera e tenderëve të fituar sillet rreth 100,000.00 euro (një qind mijë euro)”, thuhet në njoftimin e Policisë

Pas intervistimit të tyre në Drejtorinë për Hetime të Krimeve Ekonomike, A.D. është dërguar në qendrën e mbajtjes ndërsa S.D. për shkaqe shëndetësore është dërguar në trajtim në sigurim të Policisë.