Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Arrestohen dy persona, dyshohen për shmangie nga detyrimet doganore

Dogana e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në shkelje të kodit doganor.

Arrestimi u bë pas një hetimi preliminar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e personat e arrestuar përfshijnë pronarin e mallit dhe shoferin e kamionit, të cilët dyshohen se kanë kryer vepra të dënueshme.

Dogana tha se pas hetimeve dhe mbledhjes së provave të mjaftueshme, u ndërmorën veprimet e arrestimit të këtyre persona të dyshuar për shmangie nga detyrimet doganore dhe heqja dhe dëmtimi i vulave zyrtare dhe dëmtimi I plumbave.

“Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se të arrestuarit kanë kryer këto vepra të paktën në dy raste të veçanta. Në mënyrë të veçantë dyshohen për manipulimin e mallrave gjatë procedurave doganore, duke synuar shmangien e pagesës së detyrimeve doganore dhe shkeljen e sigurisë së plombave zyrtare të vendosura nga Dogana e Kosovës” – theksoi Dogana.

Tutje u shtua se me urdhër të Prokurorit të rastit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet e mëtejshme janë në zhvillim e sipër për të përcaktuar përmasat e plota të këtyre veprimeve.

Dogana e Kosovës shtoi se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjeve dhe në mbrojtjen e integritetit të kufijve të Kosovës.

Gjithashtu u tha se këto veprime tregojnë përkushtimin tonë të pandalshëm për të parandaluar çdo tentim për shmangie të detyrimeve doganore dhe për të siguruar që të gjithë ata që thyejnë ligjin të përballen me pasoja të ashpra.