Arrestohen dy gazetarë shqiptarë për përhapje të frikës nga tërmeti

Policia e Shtetit e Shqipërisë ka bërë të ditur se i ka arrestuar dy gazetarë, Aurel Rakipllari nga “Syri.net” dhe Daniela Grica, nga gazeta “Shekulli”, për “publikimin e informacionit të rremë që shkaktoi panik” për tërmete të mundshme, kjo pasi lëkundjet e tokës gjatë fundjavës në Shqipëri shkaktuan lëndime të lehta te njerëzit dhe dëme materiale, raporton Balkan Insight.

Tërmeti i së shtunës, bëri që njerëzit të flinin në veturat e tyre ose në sheshe.

Sidoqoftë, pas një tronditje tjetër të fortë  nga tërmeti në ora 8 të mëngjesit të së dielës, disa media raportuan më shumë lajme alarmante, duke shkruar “Një sizmograf grek thotë se duhet të qëndroni larg shtëpive tuaja, një tërmet i madh pritet rreth orës 11:30 pasdite”.

Shumë familje më pas u larguan nga shtëpitë e tyre dhe një autostradë kryesore u bllokua nga veturat që përpiqeshin të largoheshin nga Tirana.

Frika zgjati rreth dy orë, pas së cilës njerëzit filluan të qetësoheshin.

“Syri.net”, një media opozitare që kishte publikuar shkrimin, pretendon se arrestimi i gazetarit të saj ishte selektiv dhe kishte për qëllim mbylljen e lirisë së medias.

“Lajmet që këshilluan qytetarët të qëndrojnë jashtë për shkak të parashikimit të sizmografit grek po përdoren si një justifikim i [Kryeministrit Edi] Rama për të mbyllur portalin më kritik kundër qeverisë,” thuhet në reagimin e këtij portali informativ.

Akis Tselentis, një sizmografograf grek është intervistuar gjerësisht në mediat shqiptare gjatë ditëve të fundit.

Ai thotë se Shqipëria është e vendosur në një zonë aktive sizmike dhe probabiliteti i tërmeteve të mëdha mbetet i lartë.

Megjithatë, disa media shkuan përtej fjalëve të tij në parashikimin e një tërmeti të madh në ora 11:00.