Arrestohen dhe suspendohen dy policë në Fushë Kosovë, keqtrajtuan një qytetar

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar dy zyrtarë policorë pasi të njëjtit kanë keqtrajtuar një qytetar në stacionin policor në Fushë Kosovë.

Të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra.

Ankesa në Inspektoratin Policorë ka ardhur nga një qytetar përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333).

“Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot dy zyrtarë policorë (punonjës në Stacionin Policor të Fushë Kosovës) që ishin të përfshirë në këtë incident. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e pasdites kur qytetari ishte ndaluar nga policia fillimisht për një kundërvajtje në trafik.