Foto: Ilustrim

Arrestohen 8 burra për 8 raste të dhunës në familje

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit. Policia, njofton se për këto tetë raste, ka arrestuar po aq persona, të gjithë burra. Aktet e dhunës sipas njoftimit të Policisë kanë ndodhur në rajone të ndryshme të Kosovës.

Dy raste të dhunës në familje janë raportuar në Prishtinë, dy në Pejë, ndërsa rastet tjera në Lipjan, Graçanicë, Rahovec dhe Gjakovë.

Në Prishtinë një person është arrestuar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten. Lidhur me rastin nuk është raportuar për të lënduar. Megjithatë, Policia ka njoftuar se me vendim të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Lipjan po ashtu një burrë është arrestuar si i dyshuar për dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë.

“Nuk raportohet për të lënduar ndërsa, me vendim të Prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Për dhunë në familje është arrestuar edhe një burrë në Graçanicë. Policia ka njoftuar që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka fyer dhe maltretuar gruan me të cilën bashkëjetonte. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, ndërsa vendimi i Prokurorit, të dyshuarin e ka dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë një tjetër burrë po ashtu dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten. Ngjarja e dhunshme dyshohet se ka ndodhur dy ditë më parë, ndërsa në këtë rast me vendim të Prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në komunën e Pejës, Policia  dje ka arrestuar dy persona pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht në mes vete. Si pasojë njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt, njofton PK.

Nën dyshimin që ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, dje pasdite është arrestuar edhe një burrë në Pejë.

Sipas njoftimit të Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa lidhur me rastin me vendim të Prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në komunën e Rahovecit pasditen e djeshme një grua ka njoftuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe vajzës.

Policia ka njoftuar se viktimat nuk kanë pasur nevojë për tretman mjekësor dhe rasti është vënë nën hetime nga njësitë relevante.

Policia për dhunë në familje ka arrestuar mbrëmë një burrë në Gjakovë pasi njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se ka rrahur bashkëshorten.

Sipas Policisë për ngjarjen e ditës së djeshme, Prokurorit pas intervistimit ka vendosur që i dyshuari të lirohet duke e dërguar çështjen në procedurë të rregullt.