Arrestohen 7 persona të dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Policia e Gjakovës përmes rrugëve operative dhe hetimore kishte pranuar informatë se në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Gjakovë ishin duke u zhvilluar lojëra të fatit (bixhoz i paligjshëm).

Sipas policisë, më 9 nëntor, në koordinim me Prokurorin e Shtetit është realizuar kontroll në lokalin ku dyshohej se ishte duke u zhvilluar dhe organizuar bixhoz i paligjshëm.

“Gjatë kontrollit në atë lokacion janë hasur dhe arrestuar shtatë persona të cilët ishin duke luajtur lojën e fatit të ashtuquajtur ‘Barbut’” – thuhet në njoftimin e policisë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari me inicialet P. P., i lindur në vitin 1963, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili dyshohet se ishte organizatori i lojës dhe pronari i lokalit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.