Ilustrim

Arrestohen 6 të dyshuar për trafikim me emigrantë, gjatë ikjes qëlluan drejt policisë në kufirin Shqipëri-Kosovë

Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arritur që në kufirin Shqipëri-Kosovë t’i arrestojnë gjashtë të dyshuar për trafikim me emigrantë.

Policia shqiptare njofton se gjashtë të arrestuarit ishin lokalizuar nga Policia në fshatin Morinë dhe se në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, thuhet se disa prej këtyre shtetasve kanë hapur zjarr ndaj punonjësve të Policisë, “duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë”.

Policia e Shtetit ka thënë se personat e arrestuar ishin grup i strukturuar kriminal që organizonte dhe drejtonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve.

Të arrestuarit, sipas Policisë ndihmonin emigrantët të kalonin jashtëligjshëm kufirin nga vendet e treta si Kosova, Shqipëria, Greqia e Serbia me destinacion final shtetet e Bashkimi Evropian.

Pas kësaj, Policia shqiptare ka komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës për të bllokuar kufirin dhe pas disa orë ndjekje, Policia e Shtetit ka arritur t’i arrestojë ata.

B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç, M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane dyshohet se kanë kryer veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Ndërsa një tjetër i dyshuar është shpallur në kërkim.

“Operacioni “Strukturimi” vijon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”- thuhet në komunikatën e Policisë së Shtetit.