Arrestohen 6 persona për falsifikim të dokumenteve nga Policia e Shtetit, tre prej tyre nga Kosova (VIDEO)

Policia e Shtetit ka arrestuar gjashtë persona, tre prej të cilëve nga Kosova, për “falsifikim të dokumenteve”, me qëllim shitjen e tyre.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan: K. D., 35 vjeç, banues në Tiranë; K. G., 57 vjeç, banues në Prizren dhe G. L., 28 vjeç, banues në Kaçanik. Gjithashtu janë ndaluar edhe shtetasit: K. D., 56 vjeç; L. B., 58 vjeç dhe E. D., 20 vjeçe – të tre banues në Tiranë.

Nga hetimi ka rezultuar se këta shtetas, të organizuar si grup, falsifikonin dokumente të ndryshme, me qëllim shitjen e shtetasve të cilët synonin të lëviznin ilegalisht, drejt shteteve që kërkojnë viza.

Po ashtu, janë sekuestruar 15 dokumente, të huaja dhe shqiptare, të dyshuara false.

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan me cilësinë e provës materiale:

– Tri pasaporta dhe tri karta identiteti amerikane;

– Dy pasaporta, dy karta identiteti dhe një lejedrejtimi italiane;

– Një pasaportë dhe një lejedrejtimi angleze;

– Një leje drejtimi rumune;

– Një kartë identiteti shqiptare;

– Së bashku me dokumentet e dyshuara të falsifikuara u sekuestruan 7 telefonë dhe 1 motomjet.

Provat i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale: “falsifikimi i dokumenteve”, “falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Ky operacion ishte rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Seksionit kundër Krimeve Ekonomike të DVP – Tiranë dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSH-së, me Prokurorinë e Tiranës dhe partnerët ndërkombëtarë.
Operacioni policor ishte i koduar me emrin “Njësia”.