Arrestohen 6 gazetarë që po raportonin për trazirat në Mianmar

Gjashtë gazetarë janë arrestuar në Mianmar për shkak të mbulimit të demonstratave kundër grushtit të shtetit.

Një avokat i gazetarit, Thein Zaw të agjencisë së lajmeve Associated Press, tha se Thein dhe pesë gazetarë të tjerë, janë akuzuar sipas një ligji që ndalon këdo që shkakton frikë, përhap me vetëdije lajme të rreme ose bën thirrje drejtpërdrejt ose tërthorazi kundër një punonjësi të qeverisë.

Të gjashtë gazetarët mund të përballen me dënime deri në tre vjet heqje lirie nëse shpallen fajtorë. Junta ndryshoi ligjin muajin e kaluar për të rritur dënimin maksimal me heqje lirie.

Agjencia Associated Press, tha se Thein Zaw u arrestua të shtunën në Yangon ndërsa po mbulonte demonstratat në qytetin më të madh të Mianmarit. Ai thuhet se po mbahet në burgun famëkeq Insein të qytetit, ku janw mbajtur të burgosur të shumtë politikë gjatë sundimit të mëparshëm autokratik të ushtrisë.

Katër nga pesë gazetarët e tjerë punojnë për media të ndryshme në Mianmar, ndërsa i pesti është gazetar i lirë.

Ian Phillips, nënkryetari i agjencisë Associated Press për lajmet ndërkombëtare, ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të gazetarit Thein Zaw.

“Gazetarët e pavarur duhet të lejohen të raportojnë lirshëm dhe në mënyrë të sigurt pa pasur frikë nga ndëshkimi,” tha zoti Phillips. VOA