Arrestohen 4 zyrtarë të Telekomit, dyshohen për një marrëveshje për shfrytëzimin e hapësirave për reklama

Policia e Kosovës ka arrestuar katër zyrtarë të Telekomit të Kosovës, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore sot me datë 09.03.2022, ka arrestuar katër persona të dyshuar zyrtarë në Telekomin e Kosovës; një mashkull dhe tri femra, me iniciale (K.J., F.J., M.P., dhe Sh. Sh.)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit, personat e arrestuar dyshohet se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë zbatimit të marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirave për reklama, e lidhur mes Telekomit të Kosovës dhe një kompanie, e cila është nënshkruar në vitin 2018.

“Të dyshuarit duke vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare përkundër faktit se kjo marrëveshje nuk ishte realizuar kanë nënshkruar raporte për përmbushje të kontratës me përmbajtje të rreme dhe me këtë i kanë mundësuar të dyshuarit me iniciale (R.K.), pronar i kompanisë, përfitim të kundërligjshëm në vlerë mbi 100 mijë euro”, thuhet më tutje në njoftim.

Ndërsa pronari i kompanisë nënshkruese po kërkohet nga Policia e Kosovës. Të dyshuarit e arrestuar pas intervistës me aktvendim të Prokurorit të Shtetit ndalohen për 48 orë, për procedura të mëtejme.