ILUSTRIM: Arrestimi i një të dyshuari- Policia e Kosovës

Arrestohen 4 të kërkuar për uzurpim pronash, grabitje e legalizim të përmbajtjes së rreme

Në 24 orët e fundit, Policia e Rajonit të Pejës ka arrestuar katër persona të dyshuar ndaj të cilëve kishte edhe letër-rreshtim nga Gjykata e Pejës.

Dy nga të kërkuarit sipas Policisë janë arrestuar në aeroportin “Adem Jashari” ndërsa dy të tjerë në pikën kufitare në Merdarë.

P.I., 43 vjeçar është arrestuar dhe ishte i kërkuar për dy grabitje dhe një vjedhje.

“I njëjti është sjell nga aeroporti nga një patrullë NJRSH.  Personi i kërkuar është ndaluar  në mbajtje, për t’u paraqitur nesër para Gjykatës Themelore Pejë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Pejës.

R.A., 29 vjeçar është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Gjyqtari i çështjes ka urdhëruar që të dyshuarit t’i konfiskohet  pasaporta dhe të lirohet, ndërsa gjatë ditës së djeshme ishte paraqitur në Gjykatën e Pejës.

B.M., 38 vjeçar po kërkohej nga Policia për shkak të urdhër-arrestit në lidhje me veprën penale uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme. I njëjti është arrestuar dje rreth orës 14:00 në pikën kufitare në Merdarë. Të njëjtit i është konfiskuar pasaporta.

I.G., 53 vjeçar po kërkohej për legalizim të përmbajtjes së rreme. I njëjti është arrestuar në pikën kufitare në Merdarë me urdhër-arrest nga Gjykata e Mitrovicës. I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.