Arrestimi i të dyshuarit serb, Sveçla: Krimet e luftës nuk i harrojmë, as nuk i falim

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të një personi të nacionalitetit serb nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile.

Sveçla ka thënë se krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë nuk harrohen e as nuk falen.

Sipas tij, drejtësia për secilin akt çnjerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme.

“Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marrur pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës”- ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht.

“Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht. Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”- ka shkruar Sveçla.

Një person i nacionalitetit serb është arrestuar sot nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas Prokurorisë Speciale, ka dyshime të bazuara se gjatë marsit të vitit 1999, Z. A. në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar ka rrahur dhe torturuar të dëmtuarin B.M.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari pretendohet se duke qenë i armatosur dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe për 1 orë e gjysmë torturoi në mënyrë çnjerëzore dhe kërcënoi për jetë të dëmtuarin.

Kamenicë, arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte kundër civilëve shqiptarë