Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Arrestimi i shtetasit të Kosovës në Turqi, MPJD: Jemi në kontakt me autoritetet turke
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka bërë të ditur se përmes Ambasadës në Ankara, ka marrë njoftim nga autoritetet turke për arrestimin e një shtetasi kosovar në Turqi.
Ndërsa ka njoftuar se janë në kontakt me autoritetet turke lidhur me rastin.
“Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Stamboll është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke lidhur me këtë rast. Në lidhje me informacione të reja do t’iu mbajmë të informuar”- ka thënë për KALLXO.com, këshilltari i MPJD-së, Leutrim Sahiti.
Policia turke më 03.09.2024 ka arrestuar një shtetas të Kosovës, nën akuzën se ka trasferuar para te operativët e agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në Turqi, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.
I arrestuari është identifikuar si Liridon Rexhepi nga Kosova.
Lidhur me këtë, Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media nuk ka pranuar të deklarohet për këtë rast, me arsyetimin se kjo është një çështje e ndjeshme.
“Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, sepse në përgjithësi këto çështje janë të ndjeshme, sidomos kur ipet informacioni pa u kryer një veprim siç duhet, unë kam kërkuar nga Drejtori i Departamenti të më njoftoj vetëm për çështje që mund të më njoftoj, vetëm për çështje të cilat mund të njoftohet publiku, andaj me konsideratë na lejoni t’u përgjigjemi me shkrim për çështje të cilat lejohen”- është shprehur Haxhiu.
Megjithatë, Haxhiu ajo ka shtuar se bashkëpunimi juridik me shtetin e Turqisë, është i mirë.
“Në përgjithësi bashkëpunimi juridik me Turqinë është shumë i mirë”- ka thënë ajo.
Personi i akuzuar, Liridon Rexhepi kishte hyrë në Turqi më 25 gusht, u ndalua të premten e kaluar dhe të martën zyrtarisht u arrestua, tha Anadolu.